Të thirrur për të qënë si Krishti
Pak kohë më parë një motër e krishterë më tha: "Përmes një kursi që po ndjek, po mësoj se kush është qëllimi në jetën time." Ajo po përfundonte një kurs 8 javor, i cili synonte të ndihmonte pjesëmarrësit të zbulonin thirrjen për jetën e tyre. Ajo më tregoi se të gjithë pjesëmarrësit në kurs mezi prisnin të gjenin qëllimin e tyre në jetë.
Dëgjova gjithashtu në radio një pastor i cili po bënte reklamë për një kurs të ngjashëm. Ai ishte i gatshëm të ndihmonte dëgjuesit për të zbuluar dhuntitë e tyre frymërore. Nëse do të kishit një kopje nga pyetësori i tyre, mund ta plotësonit dhe t’ia dërgonit dhe personat që ndihmonin këtë pastor do të vlerësonin dhuntitë e tua të veçanta. Pastaj ata do të të tregonin se si mund të gjeje vendin tënd në trupin e Krishtit.
Një çift që shërbente në një kishë më shkruajti një ditë: “Po kërkojmë për mënyrat se si mund të përmbushin thirrjen e Perëndisë në jetët tona, por kemi hasur lloj lloj pengesash. Jemi kaq shumë të dekurajuar, saqë ndonjëherë mendojmë të dorëzohemi.” Ndoshta ky çift do të përdorë burimet që përdorin edhe njerëz të tjerë. Jam i sigurt që këto mjete mund të ndihmojnë deri në një farë mase. Bibla thotë se Perëndia u jep dhunti njerëzve të vet dhe unë besoj se ka edhe njerëz me thirrje të veçanta.
Megjithatë, jam i bindur nga Shkrimi se ka vetëm një qëllim thelbësor për të gjithë besimtarët. Thirrjet tona specifike mblidhen në një qëllim të vetëm, dhe çdo dhunti pastaj buron nga ky qëllim i vetëm. Nëse ne nuk përmbushim këtë qëllim, atëherë të gjitha dëshirat dhe përpjekjet tona do të jenë më kot.
Jezusi përmbledh qëllimin tonë thelbësor tek Gjoni 15:16: “Nuk më keni zgjedhur ju mua, por unë ju kam zgjedhur juve; dhe caktova të shkoni dhe të jepni frut.”[1] Qëllimi ynë është thjeshtë ky: ne jemi thirrur dhe zgjedhur për të dhënë frut.
Shumë të krishterë të sinqertë mendojnë se të japësh frut, do të thotë thjesht të sjellësh shpirtra të humbur tek Krishti. Por të japësh frut, do të thotë shumë më shumë sesa fitimi i shpirtrave.
Fruti për të cilin Jezusi flet është të jesh si Krishti. E thënë thjesht, të japësh frut do të thotë të pasqyrosh shëmbëlltyrën e Jezusit. Dhe fraza “shumë frut” do të thotë “ngjashmëria gjithmonë edhe më e madhe me Krishtin”.
Shndërrimi gjithmonë edhe më shumë në imazhin e Krishtit është qëllimi thelbësor i jetës. Ky qëllim duhet të jetë qendra e të gjitha aktiviteteve tona, e stilit tonë të jetesës, e marrëdhënieve tona. Në të vërtetë, të gjitha dhuntitë dhe thirrjet tona – puna, shërbesa dhe dëshmia jonë – duhet të rrjedhin nga ky qëllim thelbësor.
Nëse në zemrën time nuk jam si Krishti – nëse nuk jam duke u bërë gjithmonë edhe më tepër si ai – atëherë nuk kam kuptuar qëllimin e Perëndisë për jetën time. Nuk ka rëndësi se çfarë po realizoj apo kam realizuar për mbretërinë e Tij. Nëse nuk kuptoj këtë qëllim thelbësor, atëherë kam jetuar, predikuar dhe jam munduar më kot.
Duhet të kuptoj që qëllimi i Perëndisë për mua nuk mund të përmbushet nëpërmjet asaj që bëj për Krishtin. Nuk mund të matet me asgjë nga ato që arrij në jetë, edhe sikur të jem në gjendje të shëroj të sëmurët apo të largoj demonët. Jo! Qëllimi i Perëndisë plotësohet në mua vetëm nëpërmjet shndërrimit tim në imazhin e Krishtit. Ngjashmëria me Krishtin nuk ka të bëjë me atë çfarë bëj për Zotin, por ka të bëjë me transformimin tim në imazhin e Tij.
Në mendjen e dishepujve, tempulli në Jeruzalem ishte madhështor, një vepër e perëndishme, një arritje e mrekullueshme. Ata e morën Jezusin me vete dhe i treguan madhështinë e arkitekturës, turmat e mëdha që mblidheshin atje përditë, shërbesat fetare që zhvilloheshin atje. Ata menduan se Krishti do të ishte po aq i mahnitur sa edhe vetë dishepujt.
Por me reagimin e Tij, Jezusi i hodhi ujë të ftohtë entuziazmit të tyre. Ai u tha atyre, se e gjithë kjo madhështi do të shkatërrohet. Nuk ka për të mbetur asnjë gur mbi gur. Të gjitha këto turma do të shpërndahen, madje edhe barinjtë do t’ia mbathin. Gjithçka që ju ka mahnitur kaq shumë – gjithçka që duket kaq fetare – do të hidhet poshtë. Dhe e gjithë kjo do të ndodhë pasi kjo nuk flet për Krishtin. E gjithë kjo i shërben njeriut, dhe flet për njeriun.
Pra Jezusi ripërqendroi vëmendjen e dishepujve mbi tempullin shpirtëror. Pali më vonë do t’i shkruante kishës: “A nuk e dini se trupi juaj është tempulli i Zotit?”
Besoj se shumë të krishterë sot janë si dishepujt. Ne mahnitemi me ndërtesat e mëdha të kishave, nga moria e njerëzve që shkojnë të djelave në kishë, nga unikaliteti i adhurimit, nga moria e programeve dhe shërbesave që ofrohen në kisha. Por mesazhi i Krishtit për ne është i qartë: ne nuk duhet të fokusohemi tek ndërtesat që janë prej guri dhe metali, në format e ndryshme të adhurimit apo në atë se si po drejtohet një kishë. Këto gjëra vetëm sa do të na shpërqendrojnë. Përkundrazu, fokusi duhet të jetë tek tempulli ynë shpirtëror.
Fakt është që Fryma e Shenjtë është në tempullin e Tij gjatë të gjithë kohës. Ai banon në trupat tanë dhe Ai është gati që në çdo kohë të na sjellë tek qëllimi i Tij. Kjo do të thotë që shtëpia jonë frymërore duhet të jetë në rregull.
Ka kohë kur jemi thirrur për të dhënë një gjykim të drejtë. Shkrimi kërkon nga çdo i krishterë që të verë në dukje doktrinat dhe profetët e rremë. Drejtuesit e shërbesave janë veçanërisht të thirrur për të treguar në shtëpinë e Zotit atë që nuk është si Krishti.
Por Pjetri thotë që gjykimi fillon nga shtëpia e Perëndisë. Dhe “shtëpia” nuk nënkupton vetëm kishën, por edhe tempullin tonë njerëzor. Unë duhet të gjykoj vetveten – duhet të shoh se si janë kushtet brenda tempullit tim – para se të jem në gjendje të gjykoj atë që shoh në kishë.
Jezusi thotë: “Çdo shermend që nuk jep frut në mua, ai e heq.....Në qoftë se ndokush nuk qendron në mua, hidhet jashtë si shermendi dhe thahet; pastaj i mbledhin , i hedhin në zjarr dhe digjen.” (Gjoni 15:2, 6). Gjithçka që në kishë nuk është një shëmbëlltyrë e Jezusit – gjithçka që është e korruptuar apo e pavërtetë, apo e cila nuk i sjell njerëzit e Tij në ngjashmërinë e Krishtit – do të gjykohet. Jezusi do t’a hedhë jashtë. Dhe vetë Jezusi do të bëjë që kjo shërbesë dhe shkaktarët e saj të thahen. Jezusi do të nxjerrë në dritë dhe do ta përfundojë dhe mbyllë këtë shërbesë të tillë.
Jam i sigurt që çdo i krishterë i sotëm, po të kishte ecur përmes tempullit në kohën e Jezusit, do të ishte trishtuar nga pamja që ofronte tempulli. Priftërinj që fusin paratë fshehurazi, lakmi dhe korrupsion, çmenduri pas parasë – e gjithë kjo do të ishte tronditëse. Ky i krishterë do të pyeste veten: “Edhe përsa kohë do të durojë Zoti këtë çmenduri në shtëpinë e Tij?”
Në fakt, e vërteta është që kushtet e tempullit nuk janë diçka që duhet të n’a shqetësojë. Jezusi e nxorri jashtë tempullit ligësinë. Me kamzhik dhe litar, Jezusi pastroi shtëpinë e Atit të tij. Ai mbylli dhe shkatërroi të gjitha shërbesat e korruptuara që zhvilloheshin atje.
Sot, ne i shërbejmë të njëjtit Jezus që pastroi tempullin. Dhe ai është besnik dhe do të pastrojë kishën e vet nga korrupsioni, por në kohën dhe sipas mënyrës së vet. Ai mund të rrëzojë çdo profet të rremë, nëse Jezusi zgjedh të veprojë në këtë mënyrë. Për këtë arsye ne duhet të besojmë se Jezusi do të kujdeset për kishën e Tij. Përgjegjësia jonë është të mos lejojmë që gjërat e botës të zenë vend të tempullin tonë njerëzor.
“Dhe ne e dimë se të gjitha gjërat bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë, për ata që janë të thirrur sipas qëllimit të Tij”. (Romakët 8:28) Mesazhi i Palit në këtë pasazh është i thjeshtë: “Të gjitha gjërat do të funksionojnë për mirë në jetën e atyre që e duan Perëndinë dhe ecin në rrugët e Tij.”
Kjo e vërtetë më bën të mendohem: Pse ka kaq shumë dekurajim dhe shqetësim tek të krishterët? Pse kaq shumë pastorë ndjehen të raskapitur, të lodhur dhe pa orientim për kishën e tyre? Pse ka kaq shumë konkurrëncë midis shërbesave?
Kudo shoh kisha të zhytura në materializëm dhe në borxhe. Në të njëjtën kohë, njerëzti kërkojnë për përgjigje në jetët e tyre. Po të pyes ty tani, si mundet të jetë kjo jeta me bollëk që ne duhet të jetonim, për të cilën flet edhe Pali? Kjo jetë nuk duket të jetë një jetë e mirë. Sinqerisht duket si një jetë mizerje. Hyr thjesht në një librari me libra të krishterë dhe lexo titujt e librave nëpër rafte. Shumica e tyre janë libra që orientojnë drejt vet-ndihmesës, psh: si të mposhtim vetminë, si të mbijetojmë në depresion, si të gjejmë përmbushje. Pse ndodh gjithë kjo?
Për shkak se kemi kuptuar gjithçka gabim. Ne nuk jemi thirrur për të qenë një sukses i vërtetë, të lirë nga çdo shtrëngim apo problem, për të qenë të veçantë, për t’ia dalë mbanë. Ne nuk po kuptojmë thirrjen e vetme, fokusin e vetëm, atë që duhet të jetë qendra e jetëve tona: të japim frut në shëmbëllyrën e Jezusit.
Kush isha 29 vjeç, një ungjilltar i njohur, më i madh nga unë në moshë më këshilloi duke më thënë: “Nëse nuk ia del mbanë deri kur të bëhesh 50 vjeç, atëherë nuk ke për t’ia dalë asnjëherë mbanë. Unë kam edhe 5 vjet, dhe pastaj shanset e mia për sukses nuk ekzistojnë më . Kështu që do filloj një program televiziv kombëtar.”
Pyeta veten: “T’ia dal mbanë? Kjo nuk më tingllon si thirrja që vjen nga Perëndia.” Jo shumë kohë pas kësaj bisede, ky njeri vdiq. Ai humbi, të gjitha ëndrrat e tij u thyen. Është e trishtueshme, por unë vazhdoj të dëgjoj të tilla tregime si këto edhe sot kur udhëtoj. Disa drejtues shërbesash me thonë: “Do të ndërtoj një super-kishë të madhe”.
Dikush që vizitoi njëherë kishën tonë më tha: “Inatosem shumë kur shoh që të gjithë janë të përfshirë në diçka të madhe, ndërkohë që unë kam shumë nevojë për para. Tani është radha ime. Do bëj gjithçka që është e nevojshme.” Gjëja e fundit që dëgjova rreth tij ishte që kërkohej nga autoritetet policore.
E vërteta është që shumë prej nesh janë të thirrur për të qenë të krishterë të zakonshëm. Megjithatë ne e vendosim veten nën presion për të përballuar shpirtin konkurrues që ekziston sot në botë. Ne i shtyjmë fëmijët tanë të bëhen doktorë, juristë, njerëz të biznesit, madje edhe drejtues “të suksesshëm” kishash. Por në fakt ne nuk kemi nevojë të prodhojmë ndonjë gjë për të gjetur qëllimin e jetës sonë. Ne nuk na duhet të ngremë ndërtesa, të shkruajmë libra apo të mbledhim turma të mëdha njerëzish. Pali thotë që ne jemi të destinuar për t’u shndërruar në imazhin e Krishtit, dhe ky është qëllimi ynë i vetëm: “Sepse ata që Ai i ka njohur që më parë, edhe i ka paracaktuar që të jenë të ngjashëm me shëmbëlltyrën e Birit të tij, kështu që ai të jetë i parëlinduri në mes të shumë vëllezërve. (Romakët 8:29)”
Jezusi ia përkushtoi veten e tij Atit dhe kjo ishte gjithçka për Jezusin. Ai deklaroi se nuk bënte apo nuk thoshte asgjë përveç atyre që Ati i thoshte. Pali thotë që çdo besimtar duhet të ndjekë të njëjtën mënyrë dhe drejtim, dhe duhet të ketë të njëjtin interes thelbësor: “Unë jam këtu për Zotin”.
Kështu pra, a dëshiron të japësh atë më “shumë frut” që buron nga të shndërruarit në imazhin e Krishtit? Ia bëra vetes këtë pyetje ndërsa përgatisja këtë mesazh. Dhe Fryma më pëshpëriti duke më thënë “David, duhet të kesh vullnetin të shohësh se si i trajton ti të tjerët.”
E thënë thjesht pra, të japësh frut përmblidhet në faktin se si i trajton të tjerët. Ne përmbushim qëllimin e jetës sonë vetëm kur fillojë të duam të tjerët ashtu si Krishti na ka dashur. Ne bëhemi gjithmonë e më tepër si Krishti kur dashuria jonë për të tjerët rritet. Jezusi tha: “Sikurse Ati më ka dashur mua, ashtu edhe unë ju kam dashur juve; qendroni në dashurinë time. (Ungjilli sipas Gjonit 15:9)” Urdhëri i tij është i qartë dhe i thjeshtë: “Shkoni dhe i duajini të tjerët. Jepuni të tjerëve dashurinë e pakushtëzuar që unë ju kam treguar.”
Fryma më tregoi tre fusha ku dashuria e pakushtëzuar e Krishtit duhet të fillojë:
Urdhëri i Jezusit ka të bejë me atë se si trajtoj unë bashkëshortin/en dhe fëmijët. Për të pamartuarit ku urdhër ka të bëjë me shokët/shoqet e dhomës, me të krishterët e tjerë që njeh, pra me njerëzit e tu më të afërt.
E vërteta gjendet në thelb të profecisë së Malakias për Izraelin. Perëndia i tha priftërinjve të asaj kohe: “Ju po bëni edhe këtë veprim tjetër: e mbuloni altarin e Zotit me lot, me të qara dhe vajtime, sepse nuk e shikon më me favor ofertën tuaj dhe nuk e pranon më me kënaqësi nga duart tuaja” (Malakia 2:13). Perëndia po thoshte se nuk e pranoj më ofertën ose adhurimin tuaj. Nuk kam për të pranuar asgjë nga ato që sillni.
Po pse nuk e pranontë më Perëndia shërbesën e këtyre njerëzve? “Sepse Zoti është dëshmitar midis teje dhe bashkëshortes së rinisë sate, ndaj se cilës je sjellë me pabesi...Tregoni kujdres” (2:14 – 15). Gjithçka kishte të bënte me martesat e tyre.
Nuk mund të bësh sikur nuk ka ndodhur asgjë. Nëse dua të bëhem burri dhe shërbyesi që Perëndia ka thirrur që unë të bëhem, atëherë gruaja ime duhet të jetë në gjendje të thotë ndershmërisht në qiell, në ferr dhe para gjithë botës: “Burri im më do me dashurinë e Krishtit. Ai bën gabime, por po bëhet gjithashtu edhe më i duruar dhe i kuptueshëm me mua. Ai po bëhet më i dashur dhe i përkujdesur. Ai lutet me mua. Ai është i ndershëm. Ai është ajo çfarë ai predikon.”
Unë ndihmoj pastorë të atyre që mund të quhen mega – kisha. Drejtoj konferenca të drejtuesve të shërbesave në të gjithë botën, iu predikoj me mijëra njerëve njëherësh. Themelova Teen Challenge, një shërbesë e krishterë rehabilitimi për konsumuesit e alkoolit dhe drogës, e cila sot numëron rreth 500 qendra në të gjithë botën. Kam shkruar rreth 20 libra, kam ndihmuar në themelimin e një shkolle bible, kam ngritur një shtëpi për nëna dhe fëmijë të braktisur. Jam nderuar nga shumë njerëz.
Megjithatë, nëse ajo që citova më lart nuk është dëshmia e gruas sime – nëse ajo ka një dhimbje të fshehtë në zemër dhe mendon se bashkëshorti im nuk është ajo çfarë ai pretendon se është – atëherë gjithçka në jetën time është e kotë. E gjithë puna ime – predikimet, arritjet, dhurimet, udhëtimet e shumta – përmblidhen në asgjë. Unë do të jem një degë e tharë dhe e papërdorshme që nuk jep frutin e ngjashmërisë së Krishtit. Jezusi do të bëjë të tjerët të shohin vdekjen brenda meje dhe unë do të jem pa vlerë në mbretërinë e Tij.
Ti mund të predikosh sa të duash, mund të dëshmosh dhe shpërndash fletushka. Mund të shkosh në kishë javë për javë dhe t’i këndosh Zoti këngë lavdërimi. Por kush është mendimi i bashkëshortes tënde? Çfarë lloj jete jeton në shtëpinë tënde?
Një ditë erdhën tek unë duke qarë një pastor, mesatar në moshë, dhe bashkëshortja e tij. Pastori më tha duke qarë: “Vëlla David, kam mëkatuar para Perëndisë dhe para gruas sime. Kam kryer tradhëti bashkëshortore”. Ai u drodh me një trishtim të perëndishëm ndërsa më pohoi mëkatin. Më pas gruaja e tij u kthye dhe më tha: “Unë e kam falur. Pendimi i tij është i vërtetë për mua. Unë e di që ai nuk është një njeri i tillë. Kam besim se Zoti do të na kthejë sërish së bashku.”
Kisha privilegjin të isha dëshmitar i fillimit të një shërimi të bukur. Ne nuk mund t’i ç’bëjmë dështimet tona të kaluara. Por kur ka pendim të vërtetë, Perëndia premton se do të riparojë gjithçka që krimi ka gërryer brenda nesh.
Por, pabesia që përshkruan Malaku nuk ka të bëjë vetëm me tradhëtinë bashkëshortore apo veprat e turpshme. Ajo pabesi përfshin gjithçka që mund të konsiderohet si jo në imazhin e Krishtit, si psh. dashakeqësia, hidhësia dhe pandershmëria. Këto lloje pabesish zbrazin të gjitha arritjet e jetës sonë. Të gjithë atyre që kryejnë këto llojë pabesish Perëndia iu thotë: “Unë nuk do pranoj veprat tuaja, adhurimin tuaj apo gjithçka tjetër që ju sillni tek unë. Unë kam kundërshtime në lidhje me ju.”
Thellë në zemrën time uroj që çdo çift që jeton një martesë që ka Jezusin si qendër të ngrihet dhe të thotë të vërtetën: “Nuk është e lehtë”. Martesa është nje përpjekje e përditshme, ashtu siç është edhe jeta e krishterë. Ashtu si rruga e Kryqit, edhe martesa nënkupton të dorëzuarit e të drejtave të tua çdo ditë. Sigurisht, Djalli e di që zemra jote është e përqendruar në përpjekjen për t’u shndërruar si Krishti. Për këtë arsye ai ka për të sjellë sfida në rrugen tënde.
E thënë shkurt pra, nuk ka shkollë më të vështirë dhe më intensive sesa shkolla e martesës. Për të tepër, nuk diplomohesh asnjëherë. Perëndia po na e bën të qartë: Jeta jonë me të dashurit tanë është pika më e lartë, maja e malit tonë të provave. Nëse gabojmë këtu, atëherë kemi për të gabuar në çdo vend tjetër në jetë.
Të jesh si Krishti do të thotë të pranosh Krishtin tek të tjerët. Gjatë udhëtimeve të mia takohem me burra dhe gra të cilët i janë përkushtuar plotësisht Perëndisë. Në momentin që takohem me ta zemra ime kërcen nga gëzimi. Megjithëse nuk i kam takuar ndonjëherë më parë, Fryma e Shenjtë brenda meje dëshmon që ata janë plot me Krishtin.
Akoma eshte sot mund të shoh disa nga fytyrat e tyre: pastorë, peshkopë, ungjilltarë të varfër rrugësh. Në momentin që takohem me ta, edhe pa thënë asnjë fjalë arrij të kuptoj që ky burrë ka qenë me Jezusin. Kjo grua është e gëzuar në Krishtin. Kur i përshëndes, iu them atë që të tjerët dua që të thonë për mua: “Vëlla, motër unë shoh Jezusin tek ti”. Nuk e them për t’iu bërë qejfin, por është vetë dëshmia e Frymës së Shenjtë.
Ne e dimë që të jesh si Jezusi do të thotë të duash të tjerët ashtu siç na do Ai. Por kjo do të thotë që duhet të duam edhe armiqtë tanë – ata që na urrejnë, ata që me përbuzje na shfrytëzojnë, ata që nuk janë në gjendje të na duan. Dhe në shkëmbim nuk duhet të presim gjë. Sigurisht që të duash në këtë mënyrë, nga pikpamja njerëzore duket e pamundur. Nuk ka asnjë libër, udhëzues apo përmbledhje parimesh apo mençuri njerëzore që të na tregojë se si mund të duam armiqtë tanë ashtu si Krishti na deshi ne. Megjithatë ne jemi urdhëruar të duam armiqtë tanë, dhe këtë duhet t’a bëjmë gjithnjë e më shumë. Sipas Jezusit, ky është fruti që ne duhet të japim.
Por si mund t’i duam armiqtë tanë? Si mund të dua muslimanin që më pështyu në fytyrë jo shumë larg kishë sonë? Si mund t’i dua ata njerëz që në internet më quajnë profet të rremë? Si mund të dua një homoseksual i cili parakalonte në Bulevardin No. 5 me një banderolë ku shkruhej “Jezusi ishte homoseksual”? Si mund t’i dua ata vërtetë në Krishtin? Une nuk di madje as se si mund të dua të krishterët e tjerë.
Përgjigja është shumë e thjeshtë: është e nevojshme puna e Frymës së Shenjtë. Ashtu si Jezusi iu lut Atit: “...që dashuria, me të cilën ti më ke dashur mua, të jetë në ta dhe unë në ta” (Ungjilli sipas Gjonit 17:26). Krishti i kërkoi Atit të vendoste dashurinë e Tij brenda nesh. Dhe ai premtoi se Fryma e Shenjtë do të na tregonte se si t’a jetojmë atë dashuri:
“Por, kur të vijë ai, Fryma e së vërtetës, ai do t’ju prijë në çdo të vërtetë, sepse ai nuk do të flasë nga vetja, por do të thotë gjithë ato gjëra që ka dëgjuar dhe do t’ju kumtojë gjërat që do të vijnë. Ai do të më përlëvdojë, sepse do të marrë prej meje dhe do t’jua kumtojë...ai do të marrë prej simes dhe do t’jua kumtojë” (Ungjilli sipas Gjonit 16:13 – 15).
E kupton se çfarë po thotë këtu Jezusi? Fryma e Shenjtë me besnikëri do të mbledhë të gjitha mënyrat me të cilat Krishti deshi të tjerët, dhe “do të t’i tregojë ty”. Në fakt, Frymës së Shenjtë i pëlqen të n’a tregojë më shumë nga Jezusi. Është kjo arsyeja pse ai banon në tempullin tonë trupor: të n’a mësojë Krishtin. “....por ju e njihni, sepse qendron me ju dhe do të jetë në ju....ai do t’ju mësojë çdo gjë” (Ungjilli sipas Gjonit 14:17, 26).
Në kohët e apostujve, kisha ishte aq shumë e mbushur me autoritetin e Krishtit saqë edhe mbretërit dhe zotëruesit e kombeve dridheshin. Pali, pastorët dhe ungjilltarët e rinj predikonin pa frikë. Ata mbushën qytete dhe kombe të tëra me mesazhin e Jezusit. Në atë kohë kisha ishte e njohur për ngjashmërinë me Krishtin, për pushtetin e saj në qiell dhe në tokë.
Por sot, pjesa më e madhe e kishës është një institucion i dobët, me fare pak nga autoriteti i Krishtit. Kisha sot tallet dhe përqeshet në të gjithë botën. Në udhëtimet e mia të shpeshta nga njëri komb në tjetrin mund të shoh pse kisha ndodhet në një situatë të tillë. Shpeshherë e shoh kishën në një situatë shumë të trishtë, për shkak të denominacioneve të ngushta që ekzistojnë brenda saj. Çdo grup pretendon të jetë nga Krishti dhe se predikon ungjillin biblik. Megjithatë, në disa raste këto grupe nuk mund as të ulen së bashku në një tavolinë.
Por fatmirësisht, në shumë kombe drejtues të krishterë arrijnë të tejkalojnë ndarjet denominacionale dhe të organizojnë konferenca të përbashkëta. Megjithatë, ndarje të mëdha ekzistojnë ende midis kulturave dhe racave. Disa grupe shihen me përçmim dhe nuk ftohen për të marrë pjesë në takime. Gjithashtu, grupime të reja fetare po lindin gjithandej duke sjelle ringjallje të vërtetë. Por disa prej këtyre grupimeve janë bërë ekskluzive, duke pretenduar se vetëm këta kanë dhe njohin të vërtetën.
Së fundmi, ekziston edhe një ndarje tjetër në kishë e cila është absolutisht jo e krishterë. Është ndarja midis të mëdhenjve dhe të vegjëlve: midis atyre që bëjnë gjëra të mëdha në emër të Krishtit dhe atyre që janë thirrur të bëjnë gjëra të vogla.
Perëndia ka një qortim për këtë lloj ndarje: “Kush ka mundur të përçmojë ditën e gjërave të vogla”? Kjo ishte fjala drejtuar izraelitëve të cilët përbuzën themelet e tempullit të vendosura nga Zorobabeli. Ata përçmuan punën e re pasi nuk ishte aq madhështore sa tempulli i Salomonit.
Në të njëjtën mënyrë sot, në shumë konferenca pastorësh vihet në dukje rritja e mega-kishave. Drejtuesve të kishave të vogla iu thuhet në shumë mënyra: “Merrni pjesë në seminarin e ofruar nga ky apo ai pastor i kësaj kishe super të madhe, dhe ke për të gjetur çelësin e suksesit. Kështu edhe ti mund të kesh një kishë po kaq të madhe.” Por në këtë mënyrë këta pastorë vetëm sa shkurajohen edhe më shumë. Në përfundim këta pastorë mendojnë: “Nuk po bëj asgjë domethënëse për Perëndinë. Ai nuk po më përdor.”
Me ndershmëri po ju them që do të dëshiroja shumë të merrja pjesë në një konferencë drejtuesish kishash ku folësit të ishin pastorë nga kisha të vogla ose të mesme. Nuk kam dëshirë të dëgjoj se si mund të ndërtoj një kishë të madhe apo se si mund të siguroj një buxhet të madh për kishën time. Do të preferoja të mblidhesha me 20 apo 30 pastorë kishash të vogla dhe të bisedoja me ta se si po iu flet atyre Perëndia, apo çfarë zbulese kanë marrë nga Krishti.
Ndoshta po mendoni: “Unë jam një prej këtyre njerëzve të vegjël. Gjërat që unë bëj në mbretërinë e Perëndisë janë të vogla. Unë nuk jam përfshirë në asnjë gjë shumë të rëndësishme për Zotin.” Por kjo nuk është e vërtetë. Më lejoni t’ju tregoj se si e sheh Perëndia të gjithë këtë situatë.
Njerëzit më të dobishëm në kishën e Jezu Krishtit janë ata njerëz që kanë sy për të parë dhe veshë për të dëgjuar. Është e vërtetë që disa njerëz bëjnë gjëra madhështore të cilat shihen dhe dëgjohen nga të gjithë. Por disa prej këtyre drejtuesve nuk kanë sy për të parë nevojat e njerëzve që vuajnë. Ata shohin më tëpër projektet e tyre sesa nevojat e njerëzve.
Fakti i thjeshtë është që Krishti që jeton brenda meje nuk është i verbër, as i shurdhët. Fjala e tij thotë: “Dhe nëse njëri ka të mirat e kësaj bote dhe sheh vëllanë që është në nevojë dhe e mbyll zemrën e tij, si qendron në të dashuria e Perëndisë?” Jezusi sheh të gjithë nevojën dhe dhimbjet rreth meje. Ai dëgjon gulçmimet dhe thirrjet e atyre që janë në dhimbje dhe të robëruar. Dhe nëse dua të jem më shumë si Krishti, atëherë unë kam nevojë për sytë e Tij për të parë të njëjtat gjëra.
Kjo është dashuria e Krishtit: të dëgjoj thirrjen e dhembshur të jetimit, të fëmijës që jeton rrugëve.....thirrjen e heshtur dhe të vetmuar të homoseksualit të sëmurë nga mëkati i tij, që mbyt torturën e tij në alkohol....thirrjen në agoni të të uriturit, të të varfërit, të të burgosurit. Të jesh si Krishti do të thotë të kesh të tillë “sy për të parë dhe veshë për të dëgjuar”.
O Zot më jep vesh që dëgjojnë. Më ndihmo të mos u tregoj më njerëzve se sa shumë di, por të dëgjoj atë që Ti po iu thua atyre që nuk kanë një zë të flasin. Më ndihmo të jem një nxënës në këmbët e pastorëve dhe shërbyesve në trupin tënd të cilët janë duke dhënë frutin e duhur. Me lejo të dëgjoj atë që Ti flet përmes këtyre njerëzve. Dhe së fundmi, më ndihmo t’i dua të tjerët jo vetëm me fjalë por me vepra dhe në të vërtetë.
---
[1] Diodati i Ri, Përkthimi 1991-1994, Botim i Albanian Bible Society